Të Dashur Nxënës,
Për çdo njeri periudha e shkollës së mesme është e pashlyeshme. Është mosha më e bukur , dhe këtë e kuptojmë vonë, kur pesha e kohës rëndon mbi supe. E si e tillë, kjo periudhë kalohet bukur kur organizohet dhe krijohen mundësitë për realizimin e saj.
Është mosha e periudha ku ende prindërit, me rolin dhe autoritetin e tyre synojnë të gjejnë më të mirën për fëmijët e tyre, për arsimimin e plotë, për të realizuar një pjesë të personalitetit, që gjithkush do ta ëndërronte e ndërtonte sa më mirë si e kërkon koha që jetojmë. Kështu ndodhi edhe me shkollën tonë.
Vite përpjekjesh, kur i gjithë vendi ndryshon në të gjitha fushat, zhvillohen aktivitete private, shfrytëzohen mundësitë që i jepte realiteti. Është e natyrshme që çdo aktivitet ka të veçantën e vet, por është e pamohueshme, që ka vlera të padiskutueshme, kur ky aktivitet i përket edukimit, rritjes e nxjerrjes në jetë të një brezi, të brezave të formuar, të ndërgjegjësuar për rrugën që i pret në të ardhmen.
Është e vështirë të realizohet, por me dëshirën e mirë për përparimin që ekziston në shpirtin e njeriut intelektual arsimdashës u arrit që në shtator 2003 nxënësit e parë të kësaj shkolle të hynin në klasa moderne, ku gjithçka dukej sikur fliste e të ofronte me heshtjen e shenjtë të shkëlqimit duke thënë:
-Mirësevini, nxënës të dashur, në këtë portë të dijes, e cila do të jetë e hapur për këdo që vërtet dëshiron të vendosë një gur në themelet e së ardhmes së një vendi që kërkon forcë e mëndje rinie.
Rini, thuaja këngës gëzimplote
qeshu, qeshu, rini qeshu
bota është e jote.
Këto vargje na dukej sikur na ndiqnin pas, bashkë me vështrimin e atij uragani që i krijoi, MIGJENIT, emri i të cilit u bë sinonimi i PUNES, DISIPLINES, SUKSESIT, FITORES.
Me Respekt,
Z. Gezim Hoxha (Rexha)
Administrator
Misioni i Shkolles “Migjeni”
Të zhvillojmë me pasion dhe angazhim shkencat, artet dhe sportet; të ushqejmë integritetin moral të nxënësve; t’ i përgatisim ata si lojtarë ekipi dhe si individë krijues; t’i ndihmojmë që të zbulojnë pikat e tyre të forta dhe të gjejnë kënaqësi kur i kontribuojnë shoqërisë; të frymëzojmë udhëheqësit e së nesërmes: ky është misioni i shkollës “MIGJENI”.








