MISIONI
Të zhvillojmë me pasion dhe angazhim shkencat, artet dhe sportet; të ushqejmë integritetin moral të nxënësve; t’ i përgatisim ata si lojtarë ekipi dhe si individë krijues; t’i ndihmojmë që të zbulojnë pikat e tyre të forta dhe të gjejnë kënaqësi kur i kontribuojnë shoqërisë; të frymëzojmë udhëheqësit e së nesërmes: ky është misioni i shkollës “MIGJENI”.
MOTO JONË
T’i kontribuojmë zhvillimit maksimal dhe të lirë çdo nxënësi në shkollë në përputhje me aftësitë individuale psikike dhe fizike dhe me kërkesat e shoqërisë së përparuar demokratike.
PARIMET E KOMUNITETIT TONË
Shkolla “MIGJENI” është një komunitet i larmishëm, i përbërë nga grupe me origjinë, besime politike e fetare të ndryshme dhe me aftësi intelektuale, fizike e artistike të ndryshme. Programet tona, veprimtaritë dhe ndërveprimet e përditshme, pasurohen nga fakti se ne e pranojmë njëri-tjetrin, ndërsa përpiqemi të mësojmë nga njëri-tjetri në një atmosferë me angazhim pozitiv dhe me respekt të dyanshëm.
Ne si individë jemi të vetëdijshëm për sjelljen dhe mbajmë përgjegjësi për veprimet tona. Kështu, ne të gjithë mbajmë përgjegjësi për të gjitha format e paragjykimeve dhe të diskriminimit.
Këto standarde do të respektohen nga çdo anëtar i komunitetit në shkollë dhe kështu sjelljet e papranueshme nuk do të mbeten kurrë pa u sfiduar. Asnjë njeri nuk ka të drejtë të diskriminojë një qenie tjetër njerëzore mbi çfarëdo bazë. Ne nuk e lejojmë abuzimin në asnjë formë të tij, verbal apo të shkruar, kërcënimet, ngacmimet , ndrydhjet apo dhunën kundër çdo njeriu apo gjërat që i përkasin këtij njeriu. Në këtë kontekst, ne nuk e pranojmë injorancën apo “ishte thjesht një shaka” si arsye për një sjellje të tillë.
Të gjithë ata që punojnë, jetojnë, studiojnë apo japin mësim në shkollën Migjeni duhet t’u përmbahet këtyre parimeve të cilat janë një pjesë integrale e misionit, fokusit dhe qëllimit të institucionit.
KODI YNË
Ne ushqejmë dhe kultivojmë:
• Ndershmërinë
• Mirësinë njerëzore
• Përgatitjen fizike
• Ndjeshmërinë estetike
• Përpjekjet dhe entuziazmin
• Pranimin e fitores dhe të humbjes
• Angazhimin
• Vetëdisiplinimin
• Arritjen e më të mirës
• Konsideratat dhe respektin për të tjerët
• Miqësinë
• Përgjegjësinë për veprimet
• Bujarinë e shpirtit
• Ndjenjën e humorit
• Kërkimin e së vërtetës
Programet shkollore
“Shkolla Migjeni” punon me plane dhe me programe të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës si dhe programe të reja të miratuara nga M.A. SH duke shfrytëzuar çdo mundësi të re, ku zhvillohen lënde plus në përshtatje me grupmoshat dhe interesat e nxënësve. Mësimi në klasat e ulëta zhvillohet sipas metodologjisë së mirënjohur “Hap pas hapi”, ndërsa mësimi me fëmijët e moshës 15-18 vjeçare zhvillohet me metoda bashkëkohore të mësimdhënies me në qendër nxënësin, përfshirë teknikat e programit të njohur në nivel ndërkombëtar “Mendimi kritik gjatë leximit dhe shkrimit”, “të mësuarit problemor”, “mësimin me anë të projekteve”, etj. Nxënësit kalojnë në shkollë 6-8 orë, në varësi nga mosha dhe nevojat individuale, duke kryer pjesën më të madhe të detyrimeve gjatë këtij orari. Gjuha angleze mësohet që nga klasa e parë, ndërsa në shkollën e mesme gjuha e parë është anglishtja dhe e dyta një nga gjuhët me zgjedhje. Lënda e informatikës zhvillohet nga klasa e parë fillore.
Metodat e punës
Në shkollë punohet me metodologji bashkëkohore të mësimdhënies me në qendër nxënësin:.
- Shtrimi dhe zgjidhja e situatave problematike
- Hap pas hapi
- Të nxënit me projekte.
- Etj.
Shkolla zbaton metodologji bashkëkohore të vlerësimit, të bazuara në vlerësimin e vazhdueshëm të arritjeve së nxënësve.
Format e punës
Për të siguruar që secili nxënës të përparojë sa më shumë, në shkollë zbatohen forma të ndryshme pune:
- Puna individuale.
- Puna frontale (me tërë klasën).
- Puna në grupe.
Për t’i plotësuar nevojat dhe dëshirat e çdo nxënësi,shkolla do të organizojë:
- Mësim plotësues për nxënësit që kanë vështirësi në nxënie.
- Mësim zgjedhor për nxënësit që tregojnë interesim të veçantë.
- Mësim plotësues për nxënësit me prirje të veçanta.

